Koronavirusi/ Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit nga 1.0% në 0.5%

25 Mars 2020, 13:01 | Përditesimi i fundit: 2020-03-25 15:19:01

Banka e Shqipërisë ka vendosur sot të ulë normën bazë të interesit nga 1.0% në 0.5% si masë për zbutjen e ndikimit të pandemisë COVID-19 në situatën financiare të vendit.

Deklarata e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Sot, në mbledhjen e datës 25 mars 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lehtësojë më tej qëndrimin e politikës monetare dhe kushtet monetare e financiare në vend. Më konkretisht, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • Të ulë normën bazë të interesit, nga 1.0% në 0.5%;
  • Të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga 1.9% në 0.9%;
  • Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 0.1%.

Përhapja e pandemisë COVID-19 në Shqipëri përbën një sfidë për ekonominë dhe sektorin tonë financiar. Masat e nevojshme të kujdesit, të marra nga autoritetet publike dhe private për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19 në popullsi, do të kenë dhe një ndikim të dyfishtë në aktivitetin ekonomik. Nga njëra anë, reduktimi i përkohshëm i prodhimit dhe punësimit sjell uljen e ofertës së mallrave e shërbimeve në treg dhe reduktimin e të ardhurave të familjeve. Nga ana tjetër, distancimi social sjell rënien e kërkesës, si dhe tkurrjen e shitjeve, të të ardhurave dhe të likuiditetit të bizneseve.

Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo ndihmon funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes.