Koronavirusi i merr jetën ish-presidentit të Real, Fellaini i pari futbollist i prekur në Kinë

22 Mars 2020, 11:22

Ish-presidenti i Real Madrid, Lorenzo Sanz, ka ndërruar jetë të shtunën për shkak të koronavirusit. 76-vjeçari që ka drejtuar Real Madrid nga vitet 1995-2000, rezultoi pozitiv me COVID-19 më 17 mars, ndërsa vetëm një ditë më pas gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm në spital. Pas një beteja disa ditore Sanz të shtunën iu dorëzua fatit të tij. Në krye të Real Madrid ai arriti të fitonte si president dy tituj të Champions League.

Pak ditë më parë, po në Spanjë, koronavirus i mori jetën një trajneri 21-vjeçar, i cili stërviste ekipet e moshave të Malaga-s. Ai kishte edhe patologji të mëparshme, por mosha aq e re tronditi botën e sportit por jo vetëm.

Ndërkohë 24 orët e fundit janë rritur ndjeshëm rastet me koronavirus në Seria A. Juventusi konfirmoi si të prekur Paolo Dybala-n, numrin 10 të skuadrës që kishte infektuar edhe të dashurën e tij. Argjentinasi i cili më pas me anë të një statusi konfirmoi se ishte mirë, bëhet futbollisti i tretë te skuadra kampione e Italisë që rezulton me koronavirus.

Po të shtunën në mbrëmje edhe Milan ka konfirmuar rastet e para të infektuara. bëhet fjalë për babë e birë, Paolo dhe Daniele Maldini. Legjenda Paolo Maldini tani mban postin e drejtorit teknik në skuadër, ndërsa djali i tij Daniele, i cili së fundmi ka mbushur 18-vjeç, ka arritur të bëjë edhe debutimin me skuadrën e parë të Milanit.