Koronavirusi i Wuhan vazhdon të vrasë, 98 viktima në 24 orë

18 Shkurt 2020, 12:44

Koronavirusi i Wuhan vazhdon të vrasë njerëz. Në 24 orët e fundit janë shënuar 98 viktima të reja si dhe ka patur më shumë se 1800 raste të tjera të personave të infektuar. Edhe pse autoritetet në Kinë flasin për zbutje të epidemisë, shkencëtarët thonë se kemi parë vetëm majën e ajsbergut poshtë të cilit fshihen mijëra raste të infektuar me simptoma të fshehura.

Sipas të dhënave më të fundit zyrtare të lëshuara nga autoritetet në Kinë, virusi i Wuhan ka shkaktuar 98 viktima të tjera, nga të cilat 93 vetëm në provincën e Hubei, epiqendra e shpërthimit të epidemisë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të atyre që kanë humbur jetën në 1873. Buletini i luftës kundër koronavirusit flet gjithashtu për më shumë se 1800 raste të reja të infektuar për një total prej rreth 73 335 dhe që rreth 13,000 njerëz janë shëruar.

Trembëdhjetë qytetarë amerikanë që u konsideruan të jenë "në rrezik të lartë" infektimi nga koronavirusi i ri, të cilët ishin në bordin e 'Diamond Princess', u transportuan në një strukturë të specializuar në Universitetin e Nebraska. Ata ishin pjesë e 338 amerikanëve të evakuuar nga trageti i bllokuar në karantinë në Yokohama, në Japoni dhe u riatdhesuan me aeroplan në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu dje janë evakuuar nga karantina lundruese edhe 22 qytetarë italianë..

Ndërkohë, në Pekin ka mbërritur në një grip pune i OBSH, i cili do të duhet të përcaktojë nëse, siç thonë autoritetet kineze, situata është me të vërtetë nën kontroll. Drejtori i përgjithshëm i Organizatës tha se "Duket se Covid-19 nuk është aq vdekjeprurës sa koronaviruset e tjerë, përfshirë SARS dhe MERS," dhe se "Më shumë se 80% e pacientëve do të shërohen".