Koronavirusi, infektohen të miturit, shërohet gruaja në Romë, Kryeministri Conte: Jo panik!

26 Shkurt 2020, 14:11 | Përditesimi i fundit: 2020-02-26 18:37:23

"Eshtë koha për të zbutur tonet dhe të ndalet paniku", - ishin këto fjalët që theksoi më shumë kryeministri italian Giuseppe Conte në selinë e Mbrojtjes Civile në Romë bashkë me komisarin përgjegjës për emergjencën e koronavirusit, Angelo Borrelli dhe gjithë ministrat gjatë një video konference me guvernatorët e rajoneve të Italisë.

Conte tha se paniku, shtoi kësaj edhe emergjencën shëndetësore, janë pasojat e frikës së pakontrolluar në vend aq sa RAI-t iu kërkua të ndalojë alarmet e kota kurse Ministri i Jashtëm Luigi di Maio ka përgatitur një plan kundër lajmeve të rreme për Italinë në pjesën tjetër të botës

Dëmi ekonomik i shkaktuar nga izolimi i vendosur në zonat e prekura dhe masat paraprake të shtrira në të gjithë Italinë (anulimi i konferencave, panaireve, ngjarjeve publike, udhëtimeve shkollore), tani për tani janë të vështira për t'u llogaritur. Por të kombinuar me dëmet e masave të pajustifikuara të vendosura nga shtetet e tjera, dhe fryrjen e frikës në jetën e përditshme të miliona qytetarëve, mund ta ulnin vendin në gjunjë, duke e bërë edhe më të ndërlikuar menaxhimin e krizës.

Raportet ekonomike që kanë mbërritur në tryezën e qeverisë janë shqetësuese po të kemi parasysh se provincat e prekura (Pavia, Lodi, Kremona dhe Milano) kanë vlerë 12% të PBB-së italiane dhe 2% të asaj të Eurozonës.

Vetëm në 'zonën e kuqe'  ka 63 kompani të mesme dhe të mëdha, duke mos llogaritur dyqane dhe biznese, me mbi 4000 të punësuar dhe 1.7 miliard euro në qarkullim në vitin 2019. Sipas kryeministrit italian, "Ndërhyrja në  mënyrë drastike ishte thelbësore, por duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrë që të gjitha masat të jenë proporcionale dhe jo kundërproduktive ".