Koronavirusi, Itali-autoritetet në Lombardi: Masa më agresive. Europa në alarm për shëndetësinë

19 Mars 2020, 14:12

Vazhdojnë ditët e pandemisë, ditët kur numri i vdekjeve është ende i lartë, kur shoqëritë perëndimore, simbole të lirisë kanë mbyllur disa prej lirive të tregut të lirë, kanë mbyllur shkollat dhe kanë limituar lëvizjet e njerëzve, siç po ndodh në Itali, Spanjë dhe Francë.

Shtetet po bien si mizat në të gjitha gjerësitë dhe gjatësitë gjeografike dhe po shpallin gjendje të jashtëzakonshme si në Zvicër, Kazakistan, Armeni. Kufijtë janë mbyllur në Tunizi, Kili dhe Kolumbi. Kanadaja është mbyllur për të gjithë, përveç shtetasve amerikanë.

Prej tre ditësh është e pamundur të kalosh kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian dhe kufijtë po shumohen madje edhe brenda kontinentit të vjetër, ku janë mbyllur Austria, Hungaria, Gjermania dhe Spanja. 

Ndërsa qeveria italiane përmes dekretit ‘Kurohet Italia’ ka hapur zjarr” ndaj epidemisë së koronavirusit dhe në mbështetje të ekonomisë, biznesit, punës dhe familjeve të prekura edhe ato nga pasojat e infeksionit, numri i viktimave vazhdon të rritet si dhe numri i të shëruarve, kurse numri i të testuarve pozitiv ka tendencë stacionare.

Guvernatori i Rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana ka deklaruar se ditët kur me mirësjellje iu drejtuam njerëzve apelin për të qendruar në shtëpi kanë mbaruar dhe se tani e tutje autoritetet e ligjit do të tregohen më agresivë, duke mos përjashtuar bllokimin total të lëvizjeve.

Ministri i Sportit Vincenzo Spadafora deklaroi se ‘nëse thirrja për të qëndruar në shtëpi nuk dëgjohet, qeveria do jetë e detyruar të bëjë ndalim edhe të aktiviteteve në natyrë. Sanksione të forta financiare, deri dhe pezullim aktiviteti janë ushtruar gjithashtu ndaj binneseve që janë gjetur në shkelje të ligjit të emergjencës shëndetësore.