Koronavirusi/ Manastirliu: Gati laboratori i dytë, shefi i laboratorit të mikrobiologjisë: Ja origjina e Covid 19

17 Mars 2020, 08:33

TIRANE-Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një lidhje me Skype deklaroi në emisionin "5 Pyetjet nga Babaramo" se përpos laboratorit në ISHP për kryerjen e analizave nëse je i infektuar me koronavirus, po vijojnë përgatitjet që të certifikohet edhe i dyti në QSUT. Gjithashtu ministrja tha se kemi sasi të konsiderueshme tamponësh dhe 200 respiratorë gjendje.

"Drejtori i OBSH-së ka thënë që duhet të testuar me teste të sigurta dhe ne jemi duke punuar vetëm përmes sigurisë së laboratorit të virologjisë në ISHP dhe gjithashtu duke marrë masat për hapjen e këtij testimi edhe në QSUT për ta certifikuar dhe për ta pasur një garanci më shumë për shtrirjen e testimit në spitalet tona. Jemi duke ndërmarrë masat dhe do të jemi nxënës të gjithë OBSH-së kur flitet për sigurinë".

I ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo”, Andi Koragje, shefi i laboratorit të mikrobiologjisë tregoi për origjinën e Covid 19. Si mendohet të jetë krijuar, dhe si mund të mbrohemi? "Covid 19 mendohet të jetë një bashkim virusesh, një virus nga minjtë dhe tjetri nga gjarpri. Ende nuk kemi burime të sakta por mendohet që ka ardhur nga bashkimi i mësipërm. Është një virus i ngjashëm me sarsin, afro 80% i ngjashëm.

Prandaj e ka emrin corona, në mikroskopi duket si kuror mbretërore që ka majat. Virusi thuhet që jeton 9 orë, në sipërfaqen e jashtme si qelq, letra etj. Dezifektantët që e shkatërrojnë janë, alkooli ose detergjente. Ka një aftësi ngjitje të madhe. Sot ne nuk e dimë sa aftësi përhapëse ka ky virus, ndryshe nga ata paraardhës.

Emisionin "5 Pyetje nga Babaramo" me moderator Ilir Babaramon mund ta ndiqni çdo të hënë në orën 20:55 në ekranin e Report Tv