Koronavirusi, MSH: 457 të testuar deri tani, 33 raste pozitive

13 Mars 2020, 11:18 | Përditesimi i fundit: 2020-03-13 14:01:13

TIRANË- Shkon në 33 numri i personave të infektuar me koronavirus në Shqipëri, një prej tyre edhe një mjek një qytetin e Durrësit, i cili ka pasur kontakt me viktimën e parë të prekur. Në njoftimin zyrtar të ministrisë së Shëndetësisë bëhet me dije se mjeku është vetëizoluar dhe gjendja e tij paraqitet stabël, e ndërsa ka një rritje të pacientëve që janë të shtruar në Infektivin e QSUT. Referuar informacionit zyrtar të ditës së sotme, raportohet se në Infektivin e QSUT janë 8 persona të shtruar (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina) e ndërsa 25 rastet e tjera janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi. Ndërkohë në vetëkarantinim, që do të thotë të dyshuar, janë 177 persona. Nga rastet e konfirmuara pozitivë janë 19 raste në Tiranë, 5 raste në Durrës, (përfshirë edhe viktimën), në Lushnje 1 rast, 2 raste në Elbasan; Rrogozhina 2 raste, ndërsa i është shtuar hartës të qyteteve të prekura edhe Fieri me 4 të infektuar. Që nga momenti kur në Shqipëri është konfirmuar rasti i parë i prekur, i cilësuar si 'pacienti zero' janë kryer në total 457 testime, 159 vetëm në 24 orët e fundit. Harta e qyteteve të prekura Tiranë 19 raste Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë) Lushnje 1 rast Elbasan 2 raste Fier 4 raste Rrogozhinë 2 raste Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se tashmë që OBSH ka shpallur pandeminë na koronaviriusi masat që janë marrë duhet të merren seriozisht. “OBSH ka shpallur pandeminë nga koronavirusi i ri që do të thotë se bota ka transmetim komunitar në më shumë se 2 kontinente. Kjo është një situatë që duhet vlerësuar me seriozitet dhe masat që janë marrë për distancimin social duhet të merren me seriozitet. Ne do të vazhdojmë me gjurmimin e rasteve në terren dhe nuk është e nevojshme që çdo person të testohet”, tha Bino.