Koronavirusi, ndërrojnë jetë dy pasagjerë të Diamond Princess, 624 të tjerë të infektuar

20 Shkurt 2020, 11:25

Kanë ndërruar jetë mëngjesin e sotëm dy pasagjerë të anijes së lundrimit Diamond Princess, e cila për rreth dy javë- e ankoruar në portin Yokohama në Japoni- ka shërbyer si karantinë për mijëra pasagjerë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria japoneze e Shëndetësisë, ku përmes një deklarate thuhet se të dy viktimat ishin në të 80-tat, megjithëse identiteti dhe gjinia e tyre pritet të bëhen publike më vonë.

Ngjarja e rëndë vjen në një kohë kur pasagjerëve që u ka rezultuar negativisht testi për koronavirus kanë filluar të largohen pas dy javësh karantinë në bord.

Rreth 624 raste të koronavirusit janë konfirmuar gjithsej në bordin e anijes deri më tani.