Koronavirusi, në 24 orët e fundit 70 viktima, 565 të vdekur dhe mbi 28 mijë të infektuar në të gjithë botën

6 Shkurt 2020, 12:25

Numër rekord vdekjesh janë regjistruar në 24 orët e fundit në provincën kineze të Hubei nga koronavirusi që shpërtheu në Wuhan. 70 viktimat e fundit e kanë çuar në 565 numrin e atyre që kanë humbur jetën nga epidemia që po frikëson botën.

Si të mos mjaftonte shifra e lartë e vdekjeve janë konstatuar rreth 3000 raste të reja të personave të infektuar duke e çuar numrin e përgjirlthshëm në 28 114 në të gjithë botën kurse numri atyre që kanë lënë spitalet si të shëruar është 1245.

Fotografia e epidemisë e azhornuar në internet dhe e hartuar nga Qendra për Shkencë dhe Sisteme Inxhinierike e Universitetit Amerikan Johns Hopkins, tregon se ritmi i dëmeve njerëzore të shkaktuara nga virusi nuk ka tendenca ngadalësimi.

Ndërkohë, në tragetin ‘Diamond Princess’ i bllokuar në karantinë në gjirin e Yokohama në Japoni, numri i personave të infektuar nga koronavirusi është rritur në 20, nga 10 që u konstatuan fillimisht. Autoritetet shëndetësore japoneze kanë testuar deri tani 273 nga afro 3,700 pasagjerë, përveç ekuipazhit. Japonia e vendosi anijen në karantinë dy ditë më parë pasi disa udhëtarë kishin shfaqur simptoma të sëmundjes.

Lajmi më shqetësues i ditës së djeshme në lidhje me përhapjen e virusit ishte ai i një fëmije të porsalindur i cili rezultoi pozitiv me koronavirus në Wuhan. Sipas mjekëve të spitalit lokal pediatrik, fëmija e kishte marrë infeksionin nga nëna e cila ishte edhe ajo e infektuar në muajin e fundit të shtatëzënësisë.

Ndërkohë e gjithë bota është e angazhuar në betejën kundër përhapjes së virusit dhe jashtë Kinës, ku në fakt, infeksioni duket se është nën kontroll pothuajse kudo.

Ekzaminimi në aeroportet kryesore ndërkombëtare i kthyer tashmë në domosdoshmëri, është futur në regjim me kohë të plotë. Italia gjithashtu ka filluar të kontrollojë temperaturën e pasagjerëve në të gjitha fluturimet, jo vetëm ato ndërkontinentale. Kontrollet e skanerit termik të rezervuara më parë vetëm për pasagjerët që vinin nga zonat e prekura nga virusi vdekjeprurës, ka nisur të shtrihet në të gjitha fluturimet, përfshirë fluturimet nga Europa.