Nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi epidemia e koronavirusit. Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Kinez i Shëndetit, numri i vdekjeve në territorin e Dragoit ka arritur në 427, me rritjen më të madhe që nga fillimi i krizës, 66 kanë humbur jetën në një ditë të vetme kurse numri i të infektuarve u rrit me 3235 njësi, duke kapur shifrën totale 20 636.
Sot në Europë Belgjika ka regjistruar të parin rast të infektuar me koronavirusin e Wuhan. Ndërkohë, dje është regjistruar vdekja e parë në provincën autonome të Hong Kongut, ku ka patur protesta të mjekëve për mbylljen e kufijve me Kinën kontinentale. Ish kolonia britanike u prek rëndë nga epidemia e Sars e vitit 2003, ku u regjistruan 299 vdekje nga afro 800 në total.
Nëse bilanci i viktimave po përkeqësohet, pritej që ritmi i përhapjes të ngadalësohej ndërsa epidemia ende nuk e ka arritur pikun e saj. Disa modele parashikuese thonë se kjo do të jetë brenda javës tjetër. Për momentin, pjesa dërrmuese e rasteve mbeten të përqendruara në provincën e Hubei që tashmë ndodhet në karantinë: të gjitha vdekjet e regjistruara në Kinë dje ishin nga krahina ku shpërtheu koronavirusi.
Izolimi nga koronavirusi ka filluar edhe në dy qytete në provincën lindore kineze të Zhejiang, në Taizhou dhe Hangzhou me 9 milionë banorë, përfshirë zonën ku ka selinë gjigandi kinez i tregtisë elektronike Alibaba. Sipas autoriteteve lokale, vetëm një person për familje do të lejohet të dalë një herë në dy ditë për të blerë gjërat themelore të nevojshme.
Për momentin jashtë Kinës janë 152 persona të infektuar. Numri i njerëzve që po shërohen dhe po lënë spitalet po rritet dhe ka shkuar në, 669.