Koronavirusi prek Italinë/ Shqipëria rrit masat në kufi: 'Korridor' intervistimi

23 Shkurt 2020, 15:09

Me përhapjen e koronavirusit në Italinë fqinje, në Shqipëri janë shtuar masat në pikat kufitare me dyfishimin e personelit mjekësor dhe me ambiente të posaçme intervistimi për personat që vijnë nga shtetet me risk. Në aeroportin e Rinasit, në portet e Vlorës e Durrësit, dhe në pikat e tjera në vend, janë shtuar edhe masat mbrojtëse, me dizifektues, maska, dhoma izolimi provizor pranë këtyre pikave, për t'u spostuar më tej në karantinë spitalore nëse është e nevojshme. Kontrolli i parë në kufi është përmes një aparature për matjen e temperaturës. Rastet që marrin vëmendjen e autoriteteve janë të ardhurit nga Kina, apo që kanë pasur historik me këtë shtet, ata nga Italia, por edhe vende si Gjermania, Turqia apo Vjena.

Bota në fakt, po e heq vëmendjen nga kontrollet për temperaturën në aeroporte, duke i konsideruar të padobishme, referuar edhe një investigimi të CNN. Njëjtë tha edhe shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, e cila tha se virusi në asnjë vend të botës nuk mund të ndalet në aeroport. Kapja në kohë e tij bëhet në radhë të parë nga vetë përkujdesja që duhet të tregojnë qytetarët duke sinjalizuar në numrin 127 për simptomat e dyshimta, vetëkarantinimi nën kujdesin e mjekëve të trajnuar, dhe nëse lind nevoja, për karantinë spitalore. Deri më tani, Shqipëria nuk ka asnjë rast të dyshuar me koronavirus, ndërsa apeli i bluzave të bardha është për të mos krijuar panik e për të ndjekur masat kryesore që rekomandohen për parandalimin e infeksionit nga koronavirusi.

Pasagjerët e zbritur nga trageti i linjës Brindizi-Vlorë, kanë folur për Report Tv ku thanë se nuk kanë pasur asnjë kontroll, por vetëm iu është dhënë një formular në traget për të plotësuar. Pas shtimit të rasteve të infektuarve me koronavirus në Itali, banorët e tragetit thanë se masat janë të kota, pasi i vetmi kontroll ishte duke i vënë dorën në ballë.

'Nuk është bërë asnjë kontroll, nuk na pyeti askush', tha një udhëtare që zbriti nga trageti.

'Për mua masat janë kot, nuk ja vlen kështu siç e bëjnë këta. Nuk na dhanë asnjë maskë, kam vënë shallin se unë jam dhe e sëmurë', tha një tjetër pasagjere.

'Na dhanë nga një cope letër në traget dhe atë e dorëzuam këtu në Vlorë, asgjë nuk na thanë', u shpreh një pasagjere.