Rama: Me rrogën e marsit, bluzat e bardha 1 mijë euro bonus

15 Mars 2020, 13:50 | Përditesimi i fundit: 2020-03-15 14:05:12

TIRANË - Thirrjet së Ministrisë së Shëndetësisë për të shërbyer vullnetarisht dhe për t'u vënë krah bluzave të bardha në betejën kundër COVID-19, u janë përgjigjur mbi 1 mijë mjekë dhe infermierë. Kryeministri Edi Rama tha se që me rrogën e marsit, mjekët që tashmë janë në vijën e parë të luftës, do të marrin bonusin prej 1 mijë euro, që do të vijojë të jepet deri në përfundim të kësaj situate. Kreu i qeverisë dha lajmin e mirë, se ky bonus do t'u jepet edhe të gjithë vullnetarëve që do të vihen në front kundër koronavirusit. "Mbi 1000 mjekë e infermierë i janë përgjigjur deri tani thirrjes për t’u regjistruar si vullnetarë të gatshëm për orët më të vështira në vijën e zjarrit. Mirënjohje për këtë gjest prekës humanizmi e patriotizmi në këtë moment kaq përcaktues për shëndetin e popullit shqiptar", tha Rama.Nesër administrata do të vazhdojë të jetë pushim, nisur kjo edhe nga fakti që dita e verës pushim zyrtar qëlloi ditë të diele. Por pushim do të jenë edhe në vijim, pasi administrata aktualisht po punon me staf të reduktuar, ku nënat kanë marrë leje për të qenë pranë fëmijëve që nuk ndodhen në shkollë, apo edhe ata që janë në moshë, si më të rrezikuarit nga COVID-19. Në punë do të qëndrojnë ata që janë pjesë e shërbimeve dhe detyrave esenciale për qytetarët, siç janë edhe kompanitë që garantojnë hallkat jetike të ekonomisë së vendit.

    No videos found.