Koronavirusi, rekord në SHBA, 1939 vdekje në një ditë! Testohet vaksina e financuar nga Bill Gates

8 Prill 2020, 13:08

Në të gjithë botën janë regjistruar mbi 80,000 vdekje nga infeksioni i koronavirusit kurse numri i përgjithshëm i rasteve të testuar pozitiv me Covid-19 është mbi pragun e 1 413 000.

Në 24 orët e fundit në SHBA u regjistrua rekordi me 1939 vdekje për një total prej mbi 12 700 gjysma e të cilave janë në New York.

Numri i përgjithshëm i të prekurve nga koronavirusi është rreth 387 000 por presidenti amerikan Donald Trump sheh shenja shprese përkundër ditëve shumë të dhimbshme.

rump pranon gjendjen e vështirë që po kalon New York dhe New Jersey por ka deklaruar se së shpejti kurba e infeksionit do ulet.

"Ne do ta mposhtim virusin," siguroi manjati, "strategjia jonë po funksionon". "Vende të tjera," vazhdoi ai, "në të vërtetë kanë më shumë raste koronavirusi sesa kanë raportuar, ata ose mashtrojnë ose gabojnë".

Ndërkohë sipas mediave amerikane mësohet se këshilltari amerikan i tregtisë, Peter Navarro, kishte ngritur alarmin mbi koronavirusin që në fund të janarit, në memorandumet drejtuar Presidentit amerikan, Donald Trump, por kishte mbetur i padëgjuar.

Mediat kanë botuar edhe dokumentin në të cilin ai kërkontd ndalimin e udhëtimeve për dhe nga Kina si dhe masa kontrolli agresive.

Më pak se një muaj më vonë, përsëri me shkrim, ai kishte paralajmëruar se mund të shperthente një pandemi prej koronavirusit e cila kishte të ngjarë të shkaktonte mbi 1.2 milion vdekje.

Nga ana e tij Trump ka sulmuar sërish OBSH se ka dhënë me vonesë alarmin e rrezikut dhe  për përgjigjen e dobët të saj ndaj pandemisë si dhe ka pezulluar fondet për të. Edhe herë të tjera Trump e ka akuzuar si pro kineze.