Shkon në 6 numri i viktimave nga COVID-19 në Shqipëri, ndërsa një paciente 71-vjeçare nga Tirana ka ndërruar jetë mbrëmjen e kësaj të mërkure. Ministria e Shëndetësisë njofton se e moshuara e shtruar në spitalin e Infektivit ishte në terapi intensive, me frymëmarrje të drejtuar (respirator).
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçarja me hipertension, e shtruar prej 7 ditësh në spitalin Infektiv, nuk arriti të mbijetojë.
71-vjeçarja është viktima e gjashtë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri, ndërsa 145 persona janë të infektuar dhe 17 të tjerë janë shëruar.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:
Ndërron jetë në spitalin infektiv pacientja 71-vjeçare, vuante nga hipertensioniGjatë mbrëmjes së sotme ndërroi jetë një paciente 71-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19, e shtruar në spitalin Infektiv, në terapi intensive, në frymëmarrje të drejtuar (respirator).
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçarja me hipertension, e shtruar prej 7 ditësh në spitalin Infektiv, nuk arriti të mbijetojë.
71-vjeçarja është viktima e gjashtë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe i bën thirrje dhe një herë qytetarëve të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes.