Shkon në 493 numri i viktimave të cilët kanë humbur jetën nga koronavirusi, ndërsa 24 mijë persona të tjerë janë konfirmuar të infektuar në shkallë globale.
Shkalla e rrezikshmërisë së kësaj epidemie dhe përhapja e saj është tepër e lartë, pasi rreth 4 mijë raste të reja të të prekurve nga virusi në botë janë konfirmuar në 24 orë.
Ndërkaq, autoriteti shëndetësor në provincën Hubei në Kinë bën me dije se 65 njerëz kanë ndërruar jetë nga koronavirusi në krahinë vetëm gjatë kësaj të marte, duke rritur numrin e vdekjeve në provincë në 479 viktima që nga fillimi i shpërthimit i epidemisë.
Tani, koronavirusi është përhapur në të gjithë krahinën, pasi edhe në dy qytete të tjera në Hubei, Huanggang dhe Xiaogan, janë raportuar mbi 1.000 raste dhe një numër vdekjesh.
Të tre qytetet:
Wuhan: 8.351 raste, përfshirë 362 vdekje
Huanggang: 1.645 raste, përfshirë 25 vdekje
Xiaogan: 1,462 raste, përfshirë 18 vdekje
Me përhapjen me ritme të shpejta të epidemisë, ekziston frika në rajon që Huanggang dhe Xiaogan mund të bëhen "Wuhan i ardhshëm" – kjo për shkak të faktit se ata kanë infrastrukturë më të dobët të shëndetit publik sesa Wuhan, i cili është një qendër kryesore urbane.
Rreth 3 mijë e 156 raste të reja të virusit janë konfirmuar në Hubei, provincë ku jetojnë më shumë se 50 milion njerëz. Një gjë e tillë, çon në 16 mijë e 678 numrin e përgjithshëm të rasteve në epiqendrën e shpërthimit. Autoritetet shëndetësore kineze theksojnë se janë gjithsej 12 mijë e 627 pacientë të shtruar në spital në Hubei, 771 prej të cilëve janë në gjendje kritike.
