Koronavirusi/ Shqiptarët vijojnë udhëtimet normalisht: S'kemi frikë, kemi ardhur për pushime! Italianët: Ndjekim rregullat që na kanë dhënë

8 Mars 2020, 21:22

RINAS- Udhëtimet vijojnë normalisht në aeroportin e Rinasit dhe pse tashme e gjithë bota po përballet me koronavirusin. Ditën e sotme udhëtimet kanë vijuar normalisht e ndërsa në aeroport dhe më herët janë marrë të gjitha masat për kontrollin e pasagjerëve. Dhe pse ditën e djeshme rreth 14 provinca janë quajtur si "zonë e kuqe" për shkak të rrezikut, shqiptarët nuk e shohin si shqetësim. Për Report Tv, ata theksojnë se nuk kanë frikë dhe kanë bërë të gjitha vizitat e nevojshme dhe janë kthyer në Shqipëri jo prej frikës së virusit.

"Nuk kam asgjë. Na kontrolluan, kam bërë dhe vizita në Itali".Në shpi do rrimë ku do të shkojmë. Kam ardhur nga Italia dhe do të qëndroj në shpi".

"Na kanë bërë kontrolle si këtu dhe andej. Në Shqipëri kam ardhur për pushime", thanë disa nga qytetarët.

Jo vetëm shqiptarët, por dhe italianë të cilët vijnë ose ikin nga vendi ynë nuk kanë frikë, por theksojnë se është shumë e rëndësishme që të ndiqen rregullat e dhëna nga strukturat shëndetësore.

"Jo asnjëherë s'kam patur frikë. Pastaj nuk e di çfarë mendojnë italianët"

"Mjafton që të kesh kujdes dhe nuk ke pse të kesh frikë. Natyrisht duhet që të respektojmë atë që na thonë. Unë kisha maskën dhe e hoqa vetëm pak minuta më parë. Sigurisht do ndjek rregullat duke larë duart dhe duke bërë gjithçka që na kanë këshilluar", thanë disa italianë.

Gjatë ditë së diel, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandoi për udhëtarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura dhe që kanë pasur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID19 të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore.