Koronavirusi/ Tregjet në Vlorë mungesë produktesh, flasin tregtarët

17 Mars 2020, 13:17

Pas abuzimeve me çmimet e frutave dhe perimeve në shumicën e tregjeve në disa qytete të vendit, tashmë ka edhe mungesë në furnizime. Me një situatë të tillë po përballet aktualisht qyteti i Vlorës, ku një nga tregjet është thuajse i boshatisur.

“Në një nga tregjet e qytetit të Vlorës, vetëm pak tregtarë kanë dalë sot, pasi shumica e tyre janë mbyllur, kjo për shkak se mungojnë produktet pasi janë rritur çmimet në tregjet e shumicës, për të ardhur më pas në tregjet e tjera që përdoren më pas nga konsumatorët.

Ndërkohë të pyetur nga Report TV si tregtarët ashtu edhe konsumatorët janë shprehur se ka luhatje të çmimeve në disa produkte”, raporton korrespodenti i Vlorës Armand Xhelili.

Ne një vëzhgim sot me kamerën e Report Tv disa nga tregtaret shprehen se shumica nuk kanë më produkte si pasojë e mbylljes së linjave por edhe e rritjes së çmimeve në tregjet e shumicës.

 Ndërsa luhatje në çmime sipas tyre ka pasur kryesisht tek portokalli dhe limonët, për shkak se importohen.

“Situata dhe sëmundja do të bëjë punën e saj rëndësi ka të ruhemi, të respektojmë këto masa që thotë shteti në maksimum. Normal që do të largohen klientët se edhe frika bën të veten, dhe frika ndikon tek puna, paratë e gjithçka, ka shumë arsye negative epidemia”, është shprehur një tregtar.

Sipas tyre nuk ka shumë furnizime tek shumica, duke qenë se është ndaluar lëvizja e maknave, dhe 2 ose 3 artikuj janë shtrenjtuar të tjerat janë me çmimin e parë.