Koronavirusi ul tensionin Rama-Meta, analistët: Qëndrime korrekte! Tërheqja e Kryemadhit? Më mirë të heshtë se të flasë marrëzira

17 Prill 2020, 19:04

TIRANE-Koronavirusi ka ulur tonet e ashpra të politikës shqiptare. Sinjalet e para u dhanë nga presidenti Meta i cili vazhdimisht ka mbështetur masat e qeverisë, e më pas kryeministri Rama që diskutimet me të në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë i quajti si shembull për t'u marrë.

Por a fshihet dicka pas këtij armëpushimi? Për analistët Edvin Kulluri dhe Ilir Yzeiri këto janë qëndrime korrekte të politikanëve kur vendi ndodhet në situata të vështira.

Në një situatë të jashtëzakonshme është normale të ketë një sens të përbashkët të të gjithë aktorëve politikë për të venë në funksion të interesit të qytetarëve sjelljen e tyre politike. Faktorët politikë duhet të japin kontributin e tyre nga pozicioni që janë”, shprehet Kulluri.

“Çdo veprim politik duhet vlerësuar në atë momentin që ndodh dhe për atë që ndodh. Në këtë rast bashkëbisedimi ose komunikimi i çtensionuar u arrit sepse tema e diskutimit ishin masat që duheshin marrë për të përballuar koronavirusin. Jemi në kushte specifike dhe secili politikan bën nder të sillet si burrë shteti”, thotë Yzeiri.