Koronavirusi/ Vëzhgim në rrugët e Tiranës, vijojnë postoblloqet e ushtrisë e policisë

16 Mars 2020, 13:44 | Përditesimi i fundit: 2020-03-16 15:25:07

TIRANË- Një e nga një, të gjithë qytetarët që lëvizin në rrugë do t'u nënshtrohen kontrolleve nga policia për të "kapur" ato që kanë mbërritur në Shqipëri nga zonat e prekura me koronavirus.

Përveç postblloqeve që tashmë kontrollojnë makinat nëse janë të autorizuara për të lëvizur, në filtër do të vendosen edhe pasagjerët dhe kalimtarët, specifikisht kur ka grumbullime me mbi dy persona. Mbi 120 mijë persona kanë ardhur nga jashtë vendit nga zonat e prekura, emrat e së cilëve janë të skanuara në një sistem në tablet që ka çdo efektiv i policisë, që do t'i nënshtrohen kontrollit nëse po shkelin rregullat e vetëkarantinimit. Nëse rezulton një gjë e tillë, që do të thotë nuk janë izoluar në shtëpi, por lëvizin në rrugë duke u bërë në rrezik serioz për popullatën,  do të gjobiten me 5 mijë euro.Të dhënat janë marrë nga sistemi TIMS, ndërkohë që theksohet se ato u janë shpërndarë edhe spitaleve për të pasur një informacion të saktë mbi pacientët e tyre, nisur nga fakti që 6 mjekë të spitalit "Shefqet Ndroqi" janë infektuar nga një viziton "i papërgjegjshëm" që fshehu se kishte qenë në Itali disa ditë më parë.