Koronavirusi/ Vëzhgimi i Report Tv, qytetarët nuk u largohen nga kafenetë...

11 Mars 2020, 14:50

Në një kohë kur i gjithë vendi ka hyrë në plan veprimi për parandalimin e koronavirusit ku një nga udhëzimet kryesore të lëshuara nga ministria e shëndetësisë dhe OBSH ishte shmangia e ambienteve me shumë njerëz, qytetarët ende nuk janë ndërgjegjësuar.

Nisur nga kjo Report TV bëri një vëzhgim në lokalet kryeqytetit të cilat ofrojnë panoramën e përditshme të një dite të zakonshme. Të mbushura plotë me grupmosha të ndryshme, nga të rinjtë e deri tek moshat e treta që i frekuentojnë ato, qytetarët e kanë lënë sigurinë e tyre në planin dytësor.

Frekuentimi i këtyre ambienteve shkel dhe një nga masat parandaluese të Covid-19 atë të ruajtjes së distancës nga njëri tjetri me të paktën 1 metër dhe i ekspozon ato më tepër ndaj virusit. As bizneset nuk kanë zbatuar urdhrin që qeveria dha ditën e djeshme, që lokalet të risistemoheshin duke vendosur tavolinat në 2 m distancë nga njëra-tjetra.

Ditën e djeshme me vendim qeverie u urdhërua moslejimi i grumbullimeve masive në ambiente të hapura apo të mbyllura çka solli mbylljen e  522 lokale dhe bare, 29 palestra, 65 bilardo, 21 disko e pube dhe 18 lokale me muzike live.