Koronavirusi/Basha letër kreut të OBSH në Tiranë: Ndihmoni Shqipërine me tampona e veshje për mjekët

20 Mars 2020, 15:09

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër kreut të OBSH-së në Tiranë, Dr. Raul Gonzalez, ku i kërkon që të ndihmojë  Shqipërinë me tampona për testimin dhe veshje mbrojtëse për mjekët.

Në një letër të gjatë, Basha shprehet se Shqipëria po bën çdo ditë e më pak testime të pacientëve të dyshuar, ndryshe nga sa është rekomanduar nga OBSH-ja botërore, dhe kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së pajisjeve të nevojshme.

Duke cituar Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili ka vënë theksin tek testimi sa më shumë i popullësisë, si mënyrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, Basha thotë se një gjë e tillë nuk po ndodh dhe ky është edhe shqetësimi që shumë qytetarë kanë shprehur në selinë bu.  

Letra e plotë
"Fillimisht më lejoni që, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Opozitës së Bashkuar, t’Ju shpreh mirënjohjen time të thellë për punën intensive dhe mbështetjen që keni dhënë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe, ku Shqipëria zyrtarisht është vend i prekur nga përhapja e virusit COVID-19. Ndihma dhe përkrahja juaj për autoritetet shtetërore ka qenë thelbësore për përballimin e deritanishëm të situatës. Shpreh bindjen se kjo mbështetje do të jetë e vazhdueshme dhe për këtë dua t’Ju falenderoj në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi. Partia Demokratike po ndjek nga afër situatën e krijuar dhe menaxhimin e saj nga autoritetet shtetërore. Me shumë shqetësim marrim çdo ditë me qindra mesazhe nga qytetarë të ndryshëm, që shprehen se kanë shfaqur të gjitha shenjat e ngjashme që të bëjnë të dyshosh se janë të prekur nga visusi COVID-19, që telefonojnë Shërbimin Kombëtar të Urgjencës në numrin 127 për të kërkuar ndihmë dhe për t’ju mundësuar testimin, por që e kanë patur të pamundur realizimin e tij. Vetë Qeveria ka raportuar se janë rreth 120 mijë qytetarë që janë nën regjimin “Karantinë e detyrueshme”, pra persona që kanë potencial të lartë që mund të jenë prekur nga virusi.