Koronavirusi-Itali, 5 vite burg për të infektuarit që shkelin karantinën. 3000 euro gjoba

25 Mars 2020, 14:42

Ndërsa të dhënat më të fundit për përhapjen e infeksioneve nga koronavirusi në Itali tregojnë për të tretën ditë radhazi një ngadalësim të rritjes së numrit të infeksioneve, rreth 7% më ulët se një ditë më parë dhe teksa ka nisur të shfaqet një dritë e vogël shprese, tuneli i pandemisë vazhdon të mbushet me viktima. Gjithsesi shifrat në rendin zbritës janë reflektim i masave fillestare të marra në situatën e emergjencës shëndetësore dhe pritet që në ditët e ardhshme, të cilat përkojnë me rezultatet e pritshme pas masave radikale qeveritare, kurba e infeksioneve të vazhdojë trendin në ulje.

Qeveria italiane e kryeministrit Giuseppe Conte ka shpallur një tjetër dekret me masa shtesë në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtejshme të pandemisë, masa të cilat parashikojnë rregulla shtesë dhe masa administrative për shkelësit e ligjit të emergjencës shëndetësore, ndër të tjera gjobitje prej 400 deri në 3000 euro për ata që anashkalojnë masat për të penguar përhapjen e Covid-19 si dhe dënim maksimal  prej 5 vjetësh për ata që dalin nga karantina.

Gjoba deri në 3000 € do të zbatohet për ata që nuk respektojnë rregullat e reja të trafikut dhe ato të kontrollit, pezullim deri 30 ditë të liçencës për aktivitetet tregtare që gjenden në shkelje të ligjit dhe mundësi për administratorët e rajoneve për të nxjerrë urdhëra dhe masa të tjera kufizuese me kusht që ato pas 7 ditësh të të aprovohen edhe nga ekzekutivi qendrorë si i vetmi autoritet që mund të aprovojë në mënyrë definitive ndalimin përkohësisht të lirive kushtetuese.

Masat e reja synojnë të detyrojnë qytetarët përmes sanksioneve monetare të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi.