Korporata e Investimeve/ PD: Ja 5 pikat që tregojnë si do të vjedhë Rama! Do e anulojmë

24 Prill 2019, 14:18

Partia Demokratike akuzon se projektligji i Korporatës së Investimeve që pritet të miratohet e bën Edi Ramën pronar de facto të çdo pasurie publike të paluajtshme në vend, i cili, sipas selisë blu pa i dhënë llogari askujt, mund ta përdorë për të shpërndarë pronat publike tek të njëjtët oligarkë apo tek persona të paidentifikuar.  Jorida Tabaku thotë se projektligji shmang çdo përgjegjësi për dështimin e investimeve të Korporatës, ndërsa shton se me lejen e Edi Ramës, prona publike i kalon menjëherë bankës, duke realizuar tjetërsimin e pronës publike nga shteti tek privatët.  Ish-deputetja demokratike shprehet se nëse ky ligj miratohet në Parlament, PD-ja do ta anulojë nëse do të vijë në pushtet.

Por cfarë është Korporata e Investimeve?
Korporata e Investimeve Shqiptare parashikohet që të krijohet si shoqëri tregtare, me pronar shtetin, por ku edhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit mund të zotërojnë aksione. Objekti i veprimtarisë së Korporatës është, sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e projekteve. Sipas këtij drafti, kur Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, transferimin e tyre tek Korporata.