Korrupsioni në Shëndetësi/ Rama zbulon planin: Autonomi të spitaleve, mjekët do paguhen me orë pune!

7 Shkurt 2021, 14:16 | Përditesimi: 7 Shkurt 2021, 14:16

SARANDË- Për të zhdukur korruspionin në Shëndetësi, kryeministri Edi Rama ka zbuluar se e ka gati planin! E gjitha është te autonomia e spitaleve, duke marrë shembull Turqinë! Nga Saranda, kreu i qeverisë tha se mjekët do të paguhen në bazë të orëve të punës që bëjnë, operacioneve apo ekzaminimeve dhe jo uniformë të gjithë si në kooperativë, dhe paratë do i menaxhojë vetë spitali. Kjo do të bëjë, shtoi Rama,  që pasi përfundojnë 8 orarëshin 'të mos turren' te privati siç ndodh aktualisht, por të punojnë në shtet dhe për këtë punë do të paguhen. Ky model, tha Rama, do të nisë me spitalin rajonal të Fierit, për t'u shtrirë në të gjithë sistemin e shëndetësisë.

"Në Turqi spitalet e shtetit i menaxhojnë privatët, nga pikëpamja e operimit dhe logjistikës, çarçafët, batanijet, aparatura, ushqimi, ndriçimi, ngrohja, e menaxhon privati, gjithë pjesën tjetër menaxhohet nga autori shëndetësor,e këtu futen mjekët. Mjekët që do punojnë në sistemin publik do të paguhen në bazë të performancës", tha Rama.

Mes çështjeve të shumta në të cilat u ndal Rama në bashkëbisedimin me qytetarët, ishte dhe çështja e detit me Greqinë, Ai ka ripërsëritur se një gjë e tillë nuk ndikon aspak te Shqipëria, ku nuk i ka kursyer ironitë, por edhe kritikat për kundërshtarët politikë.

" E ke shtëpinë në Sarandë? Jo sipas lajmeve e ke shtëpinë në Greqi. 12 miljet janë një e drejtë e gjithsecili shtet, Greqia ka ushtruar të drejtën e vet. (...)Keqardhja e madhe është që ka kaq shumë peshq me 2 këmbë që këtë absurditet e marrin për të mirëqenë, ata që janë lider partish politike dhe flasin duke i fryrë këtij zjarri janë maskarenj. Qenie të ulëta, të padenja që nuk meritojnë aspak respekt por që kanë një pjesë njerëzish që i ndjekin", tha Rama.

Në vijim të një komenti të një qytetari që i kujtoi lidhjen e Ramës me PD-në, kryeministri shtoi se kjo ka zgjatur shumë pak, aq pak sa e kuptoi që Sali Berisha ishte "hataja e madhe e kësaj partie". Sipas tij, këtë gjë tashmë e dinë të gjithë, madhe edhe vetë kryedemokrati Lulzim Basha, por që nuk flet.

 

b.ha./Shqiptarja.com