Kosova jashtë shengenit ballkanik/ Mesi në Report Tv: Me formimin e qeverisë së re, Rama nis takimet për zbatimin e marrëveshjeve

23 Dhjetor 2019, 14:13

TIRANË - Deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi, thotë se mospjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Shengenit Ballkanik, nuk cënon marrëdhënien bashkëpunuese me Tiranës zyrtare dhe Prishtinës. E ftuar në studion e lajmeve në Report Tv, Mesi tha se me themelimin e qeverisë së re në Kosovë, do të vijojnë takimet për zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara.

"Bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës nuk duhet ta mendojë askush që lë hapësire për diskutim në lidhje me çfarë Shqipëria në lidhje me Kosovën. Ne jemi një komb por me dy shtete të ndara. mJanë bërë disa takime mes qeverive, janë nënshkruar disa marrëveshje, që me themelimin e qeverisë së re, ato marrëveshje të dakordësuara të implementohen. Në çdo firmosje të një kontrate mes dy palëve, gjithmonë Beogradi ishte aty, si ai elementi që përmendte gjithmonë: Mos po krijohet Shqipëria e Madhe. Kosova duhet të jetë pjesë e tryezave të përbashkëta që të shohë benefitet. Rama do ulet me palët kokë më kokë për të dakordësuar marrëveshjet për rritjen dhe vazhdimin e bashkëpunimit", tha Mesi në studion e Report Tv.

Megjithatë, Mesi nuk e fshehu dëshirën e saj që Kosova të ishte pjesë e Samitit për të përfituar nga lehtësitë jo vetëm ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Kosova ende nuk ka konstituimin e qeverisë së re. Mendohet që mund të ketë edhe zgjedhje të tjera të parakohshme në Kosovë nëse palët nuk do të bien dakord. Do doja të kishte dakordësi sepse Kosova ka sfidën e liberalizimit të vizave përpara, për të vijuar me dialogun me Serbinë, me qëllim që të jemi në të njëjtat situata ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të presin hapjen e negociatave për anëtarësim", u shpreh deputetja Senida Mesi.

Sipas saj, e shkuara duhet hedhur pas dhe se ulja në tryezën e Samitit të Shengenit Ballkanik, që në takimin e tretë u bashkua edhe Mali i Zi, përveç Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, nuk do të thotë se pretendimet e Kosovës për njohjen e pavarësisë nga Serbia, nuk qëndrojnë.