Kosova nuk na pranon pa tampon! Qytetarët të indinjuar: Në kohën e luftës i pritëm si vëllezër, tani as për vdekje s'po na lënë të kalojmë

2 Qershor 2020, 11:24

TIRANE-Edhe sot, në ditën e dytë që Shqipëria rihapi kufijtë tokësore, asnjë qytetar shqiptar nuk mund të futet në Kosovë nëse nuk ka bërë tamponin, jo më vonë se 4 ditët e fundit.

E ndërsa në palën shqiptare kalohet normalisht, pasi kërkohet vetëm matja e temperaturës, shqiptarët nuk kalojnë dot në Kosovë pa tamponin duke shkaktuar indinjatë. Në prononcimet e tyre për Report Tv, qytetarët janë shprehur se nuk po lejohen që të kalojë as për raste vdekje.

Më ka kthyer dy herë, kërkojnë tampon, më thotë bën 30 euro, por nuk ka ku e merr shteti, por unë vij nga Tirana, meqënë ma kishte bërë shteti. Unë nuk kam asnjë problem, për një raport mjekësor po shkoj ta marr, por jo tamponi. Çfarë lidhje ka tamponi, po ai që vjen nga Kosova se nuk e bën? Nëse është e mundur, pse nuk e le këtu dhe ta bëjmë këtu për daljen dhe për hyrjen" tha një qytetar.

Një tjetër theksoi se "Na kërkojnë test COVID-i. Do të kthehemi, te greku na lejojnë këtu jo, llogarite tani, doganat tona, çfarë bëhet kështu??!!!!".

"Ne punojmë në Kosovë në Prishtinë, jemi bllokuar tani. Tani e morëm vesh se duhet testi, nuk dinim gjë. Sot na thanë lejohet, por doli e kundërta" tha një tjetër.

Edhe për raste vdekje kufiri është bllokuar pa plotësuar kushtin e tamponit. "Nuk po na lejojnë, kemi dy raste vdekje, djali dhe vajza e dajës, erdhëm nga Tirana 3 makina, por nuk na lejojnë kërkojnë tamponin. Na thanë po presim urdhër tjetër.

Ndërkohë që ne shqiptarët në kohën e luftës së Kosovës, i gjithë Kukësi u ngrit në këmbë erdhi në Morinë me pritur vëllezërit kosovarë, ne na ndalojnë. Kjo nuk duhet të ishte bërë nga Kosova, duhet të na lejonin sidomos për rast vdekje. Kufoma besoj se do të lejohet që  të kalojë nga këtu, pasi ka ardhur nga Franca" tha një qytetare.