Kosova, 'Përplasje në Mynih' dhe 'Nostalgjia për diktaturën', të ftuar Adri Nurellari dhe Jonila Godole

18 Shkurt 2020, 14:42

Politologu Ardi Nurellari është shprehur i zhgënjyer në lidhje me fondet e dhëna nga Kosova në Konferencën e Donatorëve për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Në emisionin '5 pyetje nga Babaramo' Nurellari tha se 'nuk më la aspak shije të mirë që Kosova ofroi 200 mijë euro dhe Serbia 2 milionë euro. Kurti duhet të ishte treguar më bujar, duke qenë se mban dhe retorikat e bashkimit të popullit shqiptarë'. Në Konferencën e Donatorëve Kosova ofroi 200 mijë euro grante dhe 500 mijë euro i kishte dhënë më parë, ndërsa Serbia dhuroi 2 milionë euro grante. Megjithatë për Nurellarin, ka ardhur koha që Kurti të bëjë veprime konkrete, të lërë mënjanë hatërmbetjet personale me kryeministrin Rama dhe të krijojë një marrëdhënie normale, dinjitoze dhe bashkëpunuese në të mirë të popullit shqiptar.  

'Marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shumta dhe nuk kemi parë asgjë konktrete. Por në rastin e parë që preken egot nxirren shpatat dhe sulmet personale. ka plot mënyra se si Rama dhe Kurti mund të dëshmojnë dëshirën për integrim, bashkëpunim apo qoftë edhe bashkim. Kurti ka ardhur momenti të bëjë veprime konkrete pasi tani ka dhe të drejtën e firmës. I takon atij të përmirësojë marrëdhëniet e tij personale dhe t'i lërë mënjanë hatërmbetjet në mënyrë që të kemi një bashkëpunim mes dy shteteve dhe krijimin e projekteve të mëdha', u shpreh Nurellari për gazetarin Ilir Babaramo.

-----------------------------------------------------------------

Emisionin "5 Pyetje nga Babaramo" me moderator Ilir Babaramon mund ta ndiqni çdo të hënë në orën 20:55 në ekranin e Report Tv