Kosova voton sot, Hoti: Pres një proces të rregullt! Kurti: Sot vendos populli

14 Shkurt 2021, 11:13 | Përditesimi i fundit: 2021-02-14 11:22:57

Qytetarët e Kosovës vendosin sot për qeverinë e re dhe kryeministrin. Qendrat e votimit që janë hapur prej orës 07:00 pritet t'u drejtohen  1,794,862 qytetarë me të drejtë vote.

Kosova voton për të zgjedhur 120 deputetë, ndërsa në të gjithë vendin 888 qendra zgjedhore, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime

Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare marrin pjesë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.   

Zgjedhjet parlamentare në Kosovës zhvillohen në të gjithë territorin e vendit dhe këtë vit, ndryshe nga çdo herë tjetër do të mbahen pa ndihmën e OSBE-së e cila ka qenë e pranishme në zgjedhjet lokale që prej vitit 2013, por për shkak të pandemisë, ato do të organizohen plotësisht nga KQZ-ja.

Por përse erdhën këto zgjedhjet e parakohshme në Kosovë? Pas një kërkese-padie, nga kreu i partisë Lëvizje Vetëvendosje, Albin Kurti lidhur me votën e deputetit, Etem Aridi e cila ishte vendimtare për krijimin e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti, Gjykata Kushtetuese e Republikë së Kosovës, e shpalli atë të pavlefshme. Kjo u bazua në argumentin se nuk kishte legjitimitet për të votuar pasi ai është dënuar më parë me vendim të formës së prerë nga Gjykata dhe një gjë e tillë në bazë të Kushtetues Kosovare është e ndaluar. Si pasojë presidentja në detyrë Vjosa Osmani, pas vendimit të formës së prerë shpërndau parlamentin dhe caktoi datën e re të zgjedhjeve, e cila është 14 shkurti.