Kosovë, Avdullah Hoti merr zyrtarisht detyrën si Kryeministër

4 Qershor 2020, 14:02

Kryeministri i ri i Kosovës Avdullah Hoti, ka nisur sot punën në Qeverinë e Kosovës. Në një ceremoni shtetërore në ndërtesën e qeverisë, Hoti nuk është pritur nga asnjë ish- zyrtar i ish Qeverisë së Albin Kurtit.

Mungesa e Kurtit në dorëzimin e detyrës është paralajmëruar nga ky i fundit që mbrëmjen e djeshme përmes një mesazhi video ku ai u shpreh se nuk do të jetë i pranishëm në dorëzimin e detyrës kryeministrit të ri, pasi sipas tij nuk mund të pranojë atë që e ka shkarkuar vetë.

“Qeveria e re është e pavlefshme. Kjo është qeveri koti. Ne jemi qeveria alternative deh do të vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri dhe shumë shpejt” – tha ndër të tjera Kurti

Avdullah Hoti u votua dje si Kryeminisër i ri i Kosovës me 61 vota pro, 24 kundër dhe një abstenim. Ai është derivat i marrëveshjes së koalicionit mes LDK, AAK, NISMA dhe minoritetet.

Qeveria e re e Hotit përbëhet nga katër zëvendëskryeministra dhe 18 ministra

Avdullah Hoti u zgjodh dje kryeministër dhe deklaroi se prioritet i qeverisë së tij do të jetë dialogu i udhëhequr nga BE dhe SHBA por territoret nuk preken dhe ai nuk do e lejojë një plan apo projekt për shkëmbim me Serbinë.

Zgjedhja e Hotit Kryeministër u përshëndet menjëherë nga Ambasada e SHBA në Kosovë, BE dhe i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Nga përtej kufirit, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i pyetur nëse është realiste që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë në fund të qershorit, u përgjigj se kjo është e mundur, nëse autoritetet në Prishtinë, heqin kufizimet për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve nga Serbia.