Kosovë, ‘Koalicioni i Shpresës’ nuk po tregon se ka shpresë për koalicion

16 Janar 2020, 13:47

Kanë kaluar mbi 100 ditë prej ditës së zgjedhjeve dhe dy partitë fituese, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kishin trumbetuar një koalicion të përbashkët e të emëruar nga vetë ata si “koalicioni i shpresës”, nuk po tregojnë se mund të ketë shpresë për këtë koalicion.

Mbrëmë, përfaqësues të të dy partive kanë dhënë deklarata të cilat nuk lënë vend të mendohet se mund të ketë një marrëveshje midis tyre.

Dje, Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një ofertë drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës ku parashihet rritja e numrit të ministrive nga 12 në 14 – ku një do t’i takonte LDK-së dhe një tjetër do t’u shkonte minoriteteve.

Këtë ofertë të tyre sot zyrtarisht e ka refuzuar Lidhja Demokratike e Kosovës ku kanë shpalosur ofertën e tyre të re drejtuar Vetëvendosjes. Kryeparlamentari, posti i presidentit dhe 5 ministri ishte kërkesa eksplicite e LDK-së për koalicion me LVV-në.

Por, kjo ofertë është quajtur tallje dhe është refuzuar nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila është shprehur se nuk mund të pranohet.

Në anën tjetër, Besnik Bislimi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje është shprehur se Glauk Konjufca do të jetë kryetar i Kuvendit dhe kjo nuk mund të ndryshohet. Ai është shprehur se nuk duhet të luhet pingpong me këtë pozitë dhe tani nuk flitet më për kryeparlamentar por për emrin Glauk Konjufca.

Dje kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se brenda kësaj jave do t’i jepet fund epilogut nga organet e LDK-së marrëveshjes për koalicion dhe se nuk do të heqin dorë nga një pushtet reciprok. Ai tha se do të përpiqen që takimi i radhës të jetë i fundit.