KOSOVE - Lirohet Albert Veliu, i njohur ndryshe si "Babalja", rreth 24 orë pas ndalimit nga policia e Kosovës. Lajmi konfirmohet për Report Tv nga avokati i "Babales", Tom Gashi. Sipas tij, Gjykata e Prishtinës nuk ka pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për paraburgim ndaj Albert Veliut, pasi në Shqipëri akuzohet për kallëzim të rremë dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Nga ana tjetër, Report Tv ka mësuar se vijojnë procedurat për ekstradimin e "Babales". Avokati mbrojtës, Tom Gashi tha se klienti i tij Albert Veliu, ndodhej me të, pas vendimit të Gjykatës.
Albert Veliu u ndalua një ditë më parë në një kamp azilkërkuesish në Prishtinë, pas lëshimit të urdhërporosisë nga drejtësia shqiptare për arrestimin e tij, pasi ndaj "Babales" ka një masë arresti me burg për kallëzim të rremë dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Albert Veliu akuzohet se bashkë me kunatin e tij, Fredi Alizoti inskenuan përgjimin "Babalja 1", ku në një audiopërgjim pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bënte pazare droge.
Ishte akt-ekspertimi i ardhur nga Anglia, që vulosi fatin e Babales, aty qartësohej se zëri në audiopërgjim nuk ishte i Agron Xhafës. Albert Veliu, i cili u prezantua në media me emrin ‘Dëshmitari X’, u largua në Kosovë në muajin maj, ku kërkoi edhe azil. Veliu ndodhej në Kosovë bashkë me djalin e tij, ndërkohë që ka deklaruar para autoriteteve kosovare se është larguar në Kosovë pasi i rrezikohej jeta. Pas procedurave ligjore pritet që Albert Veliu të ekstradohet në Shqipëri.
Report Tv publikoi pjesë edhe nga përgjimet e prokurorisë ku del në pah se gjithçka në adresë të Agron Xhafajt ka qenë e inskenuar nga protagonistët Albert Veliu dhe kunati i tij, Fredi Alizoti i cili ka imituar zërin e vëllait të ministrit. Sipas përgjimeve rezulton se Babales dhe Alizotit i ishin premtuar nga 100 mijë euro secili, nga deputeti me mbiemër 'Salianji'.
