Kosovë, nëshkruhet marrëveshja e koalicionit për qeverinë e re midis LDK dhe AAK

29 Prill 2020, 15:18

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje së bashku për krijimin e qeverisë së re.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj pas takimit drejtuesin  e LDK’së, Isa Mustafën.

Haradinaj gjithashtu ka bërë të ditur se sipas marrëveshjes partia që ai drejton do të ketë 4 ministri dhe 1 zëvendëskryeministër

AAK merr Ministrinë e Drejtësisë, Arsimit, të Punëve të Jashtme dhe të Zhvillimit Ekonomik.

Dje i nominuari i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, tha se nesër do të finalizohet marrëveshja e koalicionit mes LDK-së, AAK-së, Nismas, Listës Serbe dhe AKR-ja, që sapo e konfirmoi se është pjesë e koalicionit.

“Besoj që nesër do të përmbyllim marrëveshjen dhe do të dalim me përbërjen e qeverisë së re. Në disa prej partive të koalicionit jemi duke i finalizuar edhe me emra të ministrave, por edhe me parimet e qeverisjes, sepse kjo për mua është esenciale”.

Edhe pse në AKR pati ndryshime qëndrimesh sa i përket koalicionit, Hoti sot tha se kjo parti do të jetë pjesë e koalicionit.

Ai gjithashtu tha se sapo të jenë gati do të dërgojnë shkresën te presidenti për t’i treguar se e kanë shumicën për të krijuar qeverinë.

Kryeministri në detyrë i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar më parë se do të çojë në Gjykatën Kushtetuese veprimet e ndërmarra nga presidenti Hashim Thaçi, i cili para disa ditësh  ftoi në një takim gjithë partitë parlamentare për të diskutuar për formimin e qeversisë së re në kushtet kur nga LVV nuk pati reagim për kërkesën e tij që LVV duhej të çonte emrin e propozuar për tu mandatuar për krijimin e qeverisë.