Kosovë, reagimet për padinë e Kryeministrit Rama ndaj Ramush Haradinaj

17 Janar 2020, 13:35

Pas njoftimit se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dorëzuar padi në gjykatën e Prishtinës, duke akuzuar për shpifje homologun e tij kosovar Ramush Haradinaj, reagimet në Kosovë kanë qenë nga më të ndryshmet.

Sipas padisë, Haradinaj e ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë për tradhëti, iniciator dhe mbështetës  të idesë për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.

Për publicistin Shkelzen Maliqi, Rama dhe Haradinaj duhet të jenë të kujdesshëm në deklaratat e tyre, sepse ato mund t’i rrezikojnë marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri.

Duke iu referuar mediave, Maliqi ka thënë se akuza e Haradinajt se Rama,Thaçi dhe Vuçiçi kanë marrë 10 miliardë dollarë për projektin e copëtimit të Kosovës, seriozisht rrezikon prishjen e raporteve mes dy shteteve, sepse akuza e bërë publikisht duhet të mbështesë detyrimisht me dëshmi, ndryshe mbetet thjesht propagandë retorike.

Për Maliqin, pozitiv është fakti që Rama e ka ngritur këtë padi, me qëllim që të mos përsëriten akuza të pabaza.

Në bazë të ligjit për shpifje dhe fyerje në Kosovë, barra e provës për të dëshmuar ekziston tek paditësi, ku në këtë rast Edi Rama obligohet që të dërgojë prova në gjykatë të cilat do të dëshmonin se Haradinaj ka shpifur ose jo

Sipas mediave kosovare, nëse gjykata përmes vendimit të saj, bazuar në argumentet që i ka dërguar pala paditëse, vërteton se akuzat janë të vërteta, Haradinaj mund të dënohet me gjobë apo deri në 3 vjet burg.

Më herët, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në “facebook”, iu kundërpërgjigj kryeministrit Rama, duke thënë se padia është e pabazuar dhe se ai është i gatshëm të përballet me të.

    No videos found.