Kosovë, shëndetësia dhe arsimi në grevë kundër pezullimit të zbatimit të ligjit për pagat

14 Dhjetor 2019, 14:38

Sindikatat e shëndetësisë dhe të arsimit në Kosovë u hodhën dje në një grevë paralajmëruese, kundër pezullimit të zbatimit të ligjit për pagat.

Pezullimi që do të jetë në fuqi deri më 30 mars të vitit 2020, u vendos nga Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së Avokatit të Popullit, për “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Shumica e shkollave, çerdheve dhe universiteteve u përfshin në grevë e cila ishte vendosur të zhvillohej para vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në një njoftim të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës thuhet se “në shumicën absolute, mbi 98 për qind e institucioneve arsimore ishin pjesë e grevës".

Pjesë e grevës ishin edhe punonjësit e sistenmit shëndetësor të të gjitha niveleve.

Kandidati për kryeministër i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tyha se ligji i ri për pagat është i përshkuar nga pabarazitë dhe se do të ndryshohet dhe plotësohet në qeverinë e tij.

“Ne as si deputet sot dhe as si qeveri nesër, nuk mund t’i dalim përball vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe jemi në pritje të aktgjykimit të kësaj gjykate, me ç’rast të gjitha ato që do të thuhen aty do t’i adresojmë. Le të mos harrojmë se edhe me këtë ligjin e ri të pagave, shoferi i kryetarit të parlamentit e ka pagën më të lartë se drejtori i shkollës, andaj pabarazitë janë të papranueshme dhe duhet të adresohen në një projektligj të ri për pagat", - tha zoti Kurti.

Në fillim të këtij muaji, Avokati i Popullit, bëri kërkesë për vlerësimin e ligjit të punës, i cili ishte miratuar në muajin shkurt të këtij viti, ndërsa hyri në fuqi më 1 dhjetor.

Sipas ligjit të ri, pagat përcaktohen në bazë të koeficienteve nga 1 në dhjetë.

Koeficienti më i lartë është 10, më të cilin paguhet presidenti i Republikës, i pasuar nga niveli i 9-të, ku bëjnë pjesë kryetari i parlamentit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e kështu me radhë.

Sipas ligjit, vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit, do të jetë 239 euro.

Me koeficientet 1.7 deri në 2.5, paguhen punonjës të sistemit të sistemit arsimit, përfshirë edukatorët e kopshteve dhe drejtorët e shkollave të mesme.

Avokati i Popullit tha se kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe për këtë arsye kishte kërkuar vlerësimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese.