Kostoja e lartë e të paraburgosurve, Skëndaj: Përgjegjësi e policisë, prokurorisë dhe gjykatave

27 Maj 2020, 14:33 | Përditesimi i fundit: 2020-05-27 15:21:48

Paga ditore mesatare e një personi në Shqipëri është rreth 2000 lekë të reja. Ndërsa kostoja ditore e një të paraburgosuri arrin shifrën e 2900 lekëve të rinj. Të dhënat janë bërë publike në një raport të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas të cilit masat e arrestit me burg në vendin tonë jepen në mënyrë masive duke krijuar edhe kosto të lartë për buxhetin e shtetit. Në raport thuhet se në total për buxhetin e shtetit kjo kosto shkon në 2.29 mld lekë të reja."Paraburgimi, kur nuk respektohen standartet ndërkombëtare dhe legjislacioni ynë i brendshëm (Kodi i Procedurës Penale), përveç se rezulton me shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka gjithashtu një kosto tepër të lartë për buxhetin e shtetit. Kostoja ditore e shpenzimeve për mbajtjen e një të paraburgosuri në sistemin tonë penitenciar gjatë vitit 2019 është 2,910 Lek të reja. Kostoja totale financiare në buxhetin e shtetit, për akomodimin e personave të paraburgosur në vendin tonë për vitin 2019, paraqitet në nivele të larta, përkatësisht rreth 2.29 miliard Lek (të reja)", thuhet në raport. Për drejtoren e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, përgjegjësia për këtë kosto është e shumë aktorëve, nga policia deri tek gjykata. "E gjithë kjo kosto është përgjegjësi e shumë aktorëve, duke filluar që nga policia, e cila ndalon dhe arreston dhe më pas kërkon bashkëpunimin e prokurorisë, nga prokuroria e cila ka më pas tendencë për të kërkuar në gjykatë në një masë të konsiderueshme caktimin e arrestit me burg dhe më pas gjykata ku në vërejmë që ka një rol jo pro aktiv , pra një rol pasiv për të korrigjuar shkeljet", tha Skëndaj për Report TV. Sipas saj arresti me burg është masa e fundit që duhet të përdoret. "Ka një përdorim të tepëruar të masës së arrestit me burg, që sipas standardeve ndërkombëtare dhe sipas kodit të procedurës penale duhet të jetë masa e fundit që duhet përdoret. Arresti në burg do të zbatohet vetëm kur këto masat e tjera janë të papërshtatshme në raport me rrezikshmërinë shoqërore të autorit", u shpreh Skëndaj.