KPA rikthen në detyrë gjyqtarin e parë të rrëzuar nga Vettingu! Fuat Vjerdha votoi kundër lirimit të Dritan Dajtit

23 Tetor 2020, 20:12

SHKODËRFuat Vjerdha bëhet gjyqtari i parë në sistemin e drejtësisë i cili rikthehet në detyrë si kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër. Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) e ka rikthyer në detyrë Fuat Vjerdhën pas një vendimi të ditës së sotme. Pas përjashtimit të tij nga Vettingu, Vjerdha apeloi dhe KPA pas disa muajsh vendos rikthimin e tij në detyrë duke u bërë i pari që rikthehet nga të gjithë të përjashtuarit nga Vettingu.

Ardjan Hajdari ishte kryesues i trupës së KPA, Ina Rama relatore dhe anëtar Natasha Mulaj, Rezarta Shulc dhe kreu i KPA-së Albana Shtylla. Vendimi është marre në dhomën këshillimi të mbyllur nga KPA. Fuat Vjerdha është një prej anëtarëve që votoi kundër vendimit për gjykim të shkurtuar ndaj Dritan Dajtit, por pavarësisht kësaj nuk e kaloi Vettingun.

Megjithatë, tashmë ai do të rikthehet ditën e hënë të javës së ardhshme në punë pas vendimit të KPA-së. Përpara këtij vendimi një grup qytetarësh nga Shkodra firmosën një peticion për rikthimin në detyre dhe integritetin e Fuat Vjerdhës.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Natash a Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.42/2019, datë 17.09.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Fuat Vjerdha, kundër vendimit nr. 155, datë 10.06.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1.    Ndryshimin e vendimit nr. 155, datë 10.06.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Fuat Vjerdha dhe konfirmimin e tij në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Shkodër.
2.    Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.