KQZ partive: Dorëzoni raportet financiare, thirrje dhe për ekspertët kontabël

20 Shkurt 2019, 13:14

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje ekspertëve kontabël të licensuar të interesohen për auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike. Zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxhaj u bëri thirrje partive politike të zbatojnë ligjin duke theksuar se shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur do dënohet me gjobë.

Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj lidhur me aduditët kontabël të licensuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes kësaj deklarate për mediat, i bën thirrje publike ekspertëve kontabël të licensuar që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së, për auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik 2018, në mbështetje të nenit 23/2, pika 2 të ligjit nr. 8580, ‘Për Partitë Politike”, i ndryshuar.

Ekspertët  kontabël të regjistruar pranë Instituti i Eksperteve Kontabel të Autorizuar (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet të plotësojnë edhe këto kritere:

1)    Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licensuar në 5 vitet e fundit.

2)    Të mos kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël.

3)    Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit.

4)    Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse.

5)    Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.

Auditët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë KQZ-së brenda datës 10.03.2019, këtë dokumentacion:

1- Kërkesë aplikimi;

2- Deklaratë e nënshkruar nga kandidati  lidhur me kriteret e përzgjedhjes të sipërcituara.

Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël pranë KQZ-së, përmes një shorti transparent që do të hidhet nga KQZ, do të përcaktohen edhe ekspertët që do të bëjnë auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2018 nga partitë politike.

Ndërkohë, i rikujtojmë të gjitha partive politike që aktualisht nuk kanë dorëzuar pranë KQZ-së raportet financiare vjetore për vitin 2018, t’i dorëzojnë raportet brenda datës 31.03.2019.

Shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e tyre në shkelje të formateve të standardizuara, të miratuara nga KQZ, në zbatim të nenit 23/4 të ligjit “Për partitë politike”, dënohet me gjobë nga 50.000-100.000 lekë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i vendosur të respektojë ligjin, ndaj ju bën apel partive politike të zbatojnë ligjin.