Krahasimi i raporteve/ OSBE-ODIHR rrëzon pretendimet e PD-LSI për zgjedhjet e 2017

22 Shkurt 2019, 10:46 | Përditesimi: 22 Shkurt 2019, 10:46

Raportet përfundimtare të OSBE-ODIHR mbi problematikat zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, për periudhën 2005-2017, hedhin poshtë pretendimin e opozitës shqiptare se zgjedhjet parlamentare të 2017 nuk përfaqësojnë vullnetin e lirë të qytetarëve dhe se janë produkt i kriminalizimit dhe shitblerjes së votës. Shqiptarja.com ka krahasuar përqindjen e problematikave të konstatuara në raportet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2005, 2009, 2013 dhe 2017.

Nga krahasimi, rezulton se zgjedhjet parlamentare të firuara dhe të organizuara nga Partia Demokratike janë më problematike në raport me zgjedhjet e 2017, të cilat u organizuan bashkërisht nga PD, PS dhe LSI, ku PD mori edhe drejtimin e Ministrisë së Brendshme, institucion kyç për zgjedhjet. Konkretisht, OSBE-ODIHR ka certifikuar si zgjedhjet më problematike dhe më të deformuara ato të vitit 2005, përmes të cilave Partia Demokratike erdhi në pushtet. Sipas raporteve të OSBE-ODIHR, në zgjedhjet e 2005 kishte 281 kërkesa ankimore kundër rezultatit të certifikuar nga KZZ, në zgjedhjet e 2009 kishte 34 ankimime, në zgjedhjet e 2013 janë shënuar 40 ankimime dhe në zgjedhjet e 2017 vetëm 3 ankimime, ku vetëm një ankimim rezultati është paraqitur nga PD, ndërsa nga LSI asnjë.

Numri në ulje i kontestimeve të rezultatit të zgjedhjeve nga 281 në 3, rrëzon pretendimet e PD-LSI për zgjedhjet e 2017. Po ashtu, sipas raporteve, 33 për qind e qendrave të votimit në zgjedhjet e 2005 rezultuan me probleme dhe shumë probleme, 8 qind e qendrave të votimit rezultuan me probleme në zgjedhjet e 2009, vetëm 6 për qind në zgjedhjet e 2013 dhe në 7 për qind e qendrave të votimit në zgjedhjet e 2017 procesi ishte me probleme dhe shumë probleme. Ndryshe nga sa pretendon PD-LSI, të cilat kanë bazuar djegien e mandateve mbi disa thashethemeve në telefon, OSBE-ODIHR konfirmon se problematikat në qendrat e votimit janë uluar në mënyrë drastike

b.ha./Shqiptarja.com