Krahasimi/ Kukësi kampion dimri me po aq pikë sa sezonin e kaluar, Tirana me dyfishin e pikëve

24 Dhjetor 2019, 14:28

Të hënën kategoria Superiore uli siparin për këtë vit kalendarik me Kukësin që u shpall kampion dimri me vetëm një pikë më shumë se Bylisi i vendit të dytë. Ajo që bën përshtypje këtë vit është se kemi një ngjeshje në renditje, pasi nga vendi i parë deri në vendin e tetë diferenca është vetëm 10 pikë.

Në krahasim me vitin e kaluar në këtë pikë të sezonit ka një diferencë të theksuar si në pozicionet e para ashtu edhe në të fundit. Kampion dimri në fundin e 2018 shpallej Partizani që pas 17 ndeshjesh kishte 36 pikë, 4 më shumë se Teuta e vendit të dytë. Në vendin e tretë renditej Kukësi që ishte në të njëjtën kuotë pikësh sa është deri më tani, 31.

Skuadra që ka rritjen më të madhe është Tirana, e cila sezonin e kaluar në këtë pikë të kampionatit kishte 14 pikë dhe renditej e teta, ndërsa tani ka dyfishin dhe renditet e treta. Ndërkohë skuadra që ka trendin më negativ është Flamurtari, që këtë sezon rrezikon ndjeshëm rënien nga kategoria. Klubi vlonjat këtë vit ka grumbulluar vetëm 6 pikë dhe renditet i fundit, ndërsa sezonin e kaluar kishte 28 pikë.

Për t’u veçuar këtë sezon është numri i madh i trajnerëve të shkarkuar, me Tiranën dhe Luftëtarin që mbajnë rekord, duke qenë se pas 17 javësh kanë provuar nga tre trajnerë në pankinë. Në total nga fillimi i sezonit deri në ndërprerjen dimërore 10 skuadrat e Superligës i kanë drejtuar 18 trajnerë të ndryshëm.