Krasniqi në Report Tv: Me zgjedhjet i dhamë leksion perëndimit...Kurti të mos heq taksën Serbisë dhe një mesazh për raportin Kosovë-Shqipëri

28 Dhjetor 2019, 19:17

TIRANË- Publicisti nga Kosova, Agim Krasniqi në studion e Report Tv ka deklaruar se Kosova u dha një leksion të gjitha vendeve Perëndimore me gjithë procesin zgjedhor duke filluar nga fushata deri tek konstituimi i parlamentit. Ai shprehet se fakti që është dashur kohë për krijimin e qeverisë, nuk e zbeh suksesin që Kosova pati me zgjedhjet e 6 tetorit, teksa argumentoi në këndvështrimit të tij se përse ende nuk janë konstituuar institucionet e reja.

"Nga procesi që erdhi deri te konstituimi. Përplasjet politike, sfidat janë shumë normale. Që nga hapja e fushatës, zgjedhjet deri te konstituimi i parlamentit  i kemi dhënë leksion botës perëndimore. Jemi vend i ri dhe ata kuptojnë që demokracia ka vend te ne. Institucionet duhet t'i kishim konsoliduar sa më shpejt, por duke qenë se ka interes nga perëndimorë që të konstituohet vendi njëherë e mirë, kuptohet që ka vështirësi se 20 kanë qeverisur subjekte që mund të jenë pjesë e goditjes nga kjo Reformë. S'ka nevojë për zgjedhje të reja", tha Krasniqi.

Përballë gazetares Elda Lamja, Krasniqi theksoi se qeveria e re nuk duhet t'i heqë taksën Serbisë, e ndërsa u rendit kundër Mini- Shengenit Ballkanit.

"Nuk ka nevojë të futemi në këtë aventurë për 200 vite ka dashur për të na uzurpuar.  Ne nuk mund ata t'i sulmojnë se kanë pretendime, ata të shohin interesat e veta, por ne nuk duhet të biem pre e provokimeve. Shqipëria të ketë shumë kujdes. Të njihet Kosova pastaj të ketë marrëveshje të tjera.  Synimi i Serbisë nuk është Shqipëria, por Kosova. Taksa ka krijuar kushte të reja për raportet mes dy vendeve. i ka vënë pikë kufijve, taksa nuk duhet të largohet. Kurti ka deklaruar se do të kalojë në reciprcitet, por Serbisë nuk duhet t'i lëshohet më pe", shtoi ai.

Në fund, ai e mbylli me një mesazh për marrëdhënien Kosovë- Shqipëri, që shkojnë përtej figurave politike.

"Figurat politika mund të kenë një imazh momental të opinionit publik, pror dashuria jonë për njëri-tjetrin i ka rrënjët më thellë. Vitet 90 është investuar shumë që të krijohet një klimë anti-shqiptarëve të Kosovës, ne e pamë momentet e tërmetit në Shqipëri u tregua gjaku shqiptar që ne jemi aty ku jemi dhe do të jemi aty ku pretendojmë", përfundoi Krasniqi.