Krasniqi para Hagës: UÇK në luftë krah NATO, BE, SHBA e OKB! Po më bëni një padrejtësi!

9 Nëntor 2020, 14:14

HAGË- "Unë deklarohem jo fajtor, nuk kam asnjë faj të vetëm, nuk di si ta them ndryshe"...me këto fjalë, ish- kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi i është drejtuar gjykatësit të Gjykatës Speciale në Hagë, i cili sot e njohu me 10 akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Krasniqi u paraqit i qetë dhe i buzëqeshur në fillim të seancës, por nuk kanë munguar edhe disa shpërthime duke thënë se Haga e ka trajtuar si kriminel që nga 4 nëntori kur u arrestua e deri më tani dhe se i gjitha kjo është "një maskaradë e cila është gatuar nga Beogradi dhe mbështetësit e politikave të tij kudo".

Buzëqeshja "i iku" për t'i lënë vendin disa momenteve të përlotjes, pasi sipas Krasniqit cilësimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një "organizatë kriminale" është fyese për një popull që ka luftuar për liri e mbi të gjitha krah BE-SË, SHBA-së, NATO dhe OKB. Ai ka mohuar që të ketë bërë krime lufte, vrasje dhe tortura, siç akuzohet dhe për këtë thotë se ka fakte konkrete të cilat do t'i bëj publike. Krasniqi tha se e vetmja gjë që ka bërë është që i ka dhënë zë luftës së UÇK-së, detyrë për të cilën para gjykatësi të Hagës e tha me krenari se i "ka fjetur më shumë se ajo e ministrit apo kryetarit të Kuvendit", dhe se sot ndodhet i akuzuar padrejtësisht.

Ish- kreu i Kuvendit është akuzuar për 10 krime, 6 akuza për përndjekje, burgosje, vrasje, torturë, zhdukje me forcë dhe 4 krime lufte. Gjykata i ka dhënë mundësinë që brenda 30 ditësh do të ketë mundësinë të pranojë ose jo fajësinë. Theksojmë se kjo Gjykatë Speciale nuk duhet të ngatërrohet me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për luftën kundër ish- Jugosllavisë, që është gjykuar përveç ish- presidenti i Serbisë, Slobodan Milošević dhe ish- kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, por që ka dalë i pafajshëm.

Ndërkohë, mesditën e sotme në orën 15:00 do të dalë para trupit gjykyes ish- presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Seancat do të pasohet nga Kadri Veseli të martën ora 15:00, e të mërkurën me Rexhep Selimin në orën 11:00.