Kremtohet në Vlorë festa e Parkut të Amantias/ Vullneti Sinaj: Së shpejti varret e vjetra do ti kthejmë në identitet

26 Maj 2019, 16:40

Si çdo vit në parkun arkeologjik Amantia, është kremtuar festa e këtij qytetërimi të lashtë. Nën përkujdesin e veçantë të deputetit Vullnet Sinaj, me këngë e valle tradicionale, kjo festë tërhoqi vëmendje e qindra qytetarëve vendas dhe të huaj. Ndërsa nuk mungoi edhe mini-kampionati i futbollit amator ku si çdo herë u dha edhe kupa Amantia.

Deputeti Sina u shpreh se së bashku me Ministrin e Kulturës ka për synim që varret e vjetra në këtë park ti sjellin në identitet, por nuk do të mungojnë edhe investime të tjera.

"Kjo është një festë që na jep krenari kombëtarë. Bëhet fjalë për një qytet të lashtë, ku ne barazohemi afërsisht me qytetërimin Roman. Unë kam dhënë kontributin tim në mënyrën më të thjeshtë me dëshirën time që ta organizojmë sa më mirë këtë festë. Të vish në Amantia, Po të nisesh nga qyteti i Vlorës rruga është e shtruar komplet me asfalt dhe kjo është një shtysë që turistët të vijnë këtu. Jemi në ndjekje vazhdimisht dhe kam biseduar me Ministrinë e Kulturës për të ndërtuar një varr të vjetër që është zbuluar këtu, për ta ndërtuar në formën që ka pasur. Kështu Amantias përveç stadiumit akropolit tempullit të Afërditës do t'i shtohet ky varr i vjetër ilir që do të të jetë atraksion për turistët", thotë Sinaj. 

Qytetërimi i Lashtë i Amanties është i vendosur në faqen e një kodre të lartë, i fortifikuar me një mur të gjatë 2200 m. Emri i qytetit për herë të parë përmendet në shek. IV p.e.s. Këtë e dëshmojnë ndërtimi i tempullit të Afërditës, rrënojat e një teatri dhe veçanërisht ndërtimi i stadiumit.