Gjatë takimit elektoral me banorët e Zall-Bastarit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se vëmendja e mazhorancës është zgjidhja e shqetësimeve reale që kanë qytetarët. “Ne këtu kemi halle që duhet t’i zgjidhim; nëse u bë gjysma e rrugës, duhet të bëjmë edhe gjysmën tjetër, që të lidhet përfundimisht me Rrugën e Arbrit. Me këtë investim do të shkohet në Tiranë për 12 minuta. Zall-Bastari tingëllon larg, jo se është larg, por se duhen dy orë të vish këtu. Nëse largësia shkurtohet në 12 minuta, do të thotë se një student do të shkojë për 12 minuta në Universitet; një produkt bujqësor për 12 minuta do kapë tregun; nëse ka një lindje të vështirë, për 12 minuta arrin në spital. Kemi edhe 12 ditë punë, që të jemi 12 minuta më afër. Kjo është diferenca”, tha Veliaj.
Kandidati socialist u shpreh se opozita aktuale ndonëse 6 vite më parë e kishte pushtetin, nuk bëri asgjë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit dhe për zhvillimin e këtyre zonave, të cilat i la në varfëri. “Jemi duke menduar për të ardhmen, kurse ata te Gjiri i Lalëzit, që si ditë me vapë që është, sot janë mbledhur me këmbët te pishina, duke menduar për të kaluarën, se kanë hall të asaj që po humbasin. Kanë hall të një popull që s’po i beson më. Kanë hall të njerëzve që i kanë gënjyer dhe s’i shohin dot në sy. Ju kujtohet kur erdhi dhëndri, kishte kapur 4 a 5 të komunës, këtu e kishin, pse nuk e bënë? Sot ka filluar të bëhet qendra e komunës, e bën vetëm PS dhe çunat e gocat që shërbejnë këtu. E kishte vjehrri i dhëndrit 8 vjet, s’e bëri Rrugën e Arbrit. Aty ishte. S’është gjë e re. Projekti ka qenë aty gjithmonë, por kur vjen Edi Rama, kur vjen PS, kur bashkohet skuadra jonë, mund t’i mbarojmë punët, mund të mbajmë fjalën, mund të realizojmë ëndrrat”, theksoi Veliaj, teksa shtoi se pavarësisht pengesave të opozitës, Tirana dhe gjithë njësitë e saj administrative do të vijojnë të ecin përpara.
“Na penguat te lodrat, do na pengoni që të bëjmë sheshin, siç na penguat për sheshin “Skëndërbej”, do na pengojnë që të bëjmë këtë tregun e ri agro-ushqimor, që duam ta bëjmë publik siç na penguan me Pazarin e Ri. Siç nuk ia dolën me rrugën me sheshin dhe me Pazarin në Tiranë, nuk do ia dalin me rrugën, me sheshin, me pazarin në Zall-Bastar: Kaq e thjeshtë është”, tha kandidati socialist