TIRANE-Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dëshmuar sot në prokurorinë e kryeqytetit për rreth 25 minuta pas padisë së Taulant Ballës për shpërdorim detyre, shpifje dhe fyerje për rastin e Xhisiela Malokut.
Lideri demokrat ka ngjitur shkallët e prokurorisë së Tiranës në orën 12:15 minuta, ndërsa ka dalë në orën 12:40 minuta. Basha ishte vetëm në prokurori, pasi nuk shoqërohej nga asnjëri nga ndihmësit e tij ligjor.
Pas daljes nga prokuroria, ai nuk pranoi që të jepte detaje nga dëshmia që bëri para prokurores Elsa Miha se çfarë provash ka që Taulant Balla ka qenë në komisariatin e Fushë Krujës në datë 21 korrik.
Në prononcimin për mediat Basha lëshoi akuza të forta në drejtim të shumicës, ndërsa kishte një mesazh për kryeministrin Edi Rama.
Sot deputeti Salainji ka dëshmuar pas kallëzimit nga një trafikant i dënuar droge dhe unë i kallëzuar nga një politikan bandit i lidhur me krimin. Kur regjimet e korruptuara janë afër fundit, faza e fundit është përdorimi i shtetit për të shpëtuar. Thirrja e kryetarit të opozitës për tú paraqitur në prokurori nuk është fundi i opozitës, por fillimi i fundit të regjimit. Kam një mesazh për Ramën; PD, unë dhe shqiptarët sa nuk trembemi, as nuk shantazhohemi dhe nuk impresionohemi nga makinacionet e shtetit privat, do të vijojmë betejën tonë.
Lulzim Basha