Kreu i ri i Devollit shkon në zyrë që në 06:30, policia blindon godinën, militantët e PD-së para bashkisë

29 Korrik 2019, 08:01 | Përditesimi i fundit: 2019-07-29 08:37:03

DEVOLL-Kryetari i ri i bashkisë Eduard Duro ka shkuar në zyrë ditën e sotme që në orën 06:30. Frika se mos ish-kryetari do të shkonte më herët për t'i zënë zyrën ka bërë që Duro të shkonte 90 minuta përpara. Ndërkohë që para bashkisë kanë filluar që të grumbullohen edhe mbështetësit e opozitës prej orës 07:30.

Në ambientet e bashkisë ndodhen rreth 30 forca policie. Efektivët janë të pranishëm në ambientet e jashtë institucionit për të shmangur incidentet. Duro u betua ditën e premte në mesditë, ndërsa në zyrë shkoi pasdite kur u largua ish-kryetari.

Në urdhër të tij dhe në prani të prefektit të Korçës një person çmontoi brazën e derës së jashtme dhe të brendshmet për t'u futur brenda Duro. Por sot pritet nëse do të shkojë ish-kryetari, i zgjedhur nga radhët e PD-së, pasi ka deklaruar se nuk do ta lirojë zyrën.