Kreu punime edhe pse gjykata kishte dhënë vendim pezullimi, nis hetimi i zyrtarëve dhe pronarëve të firmës 'Kalisi Hidropower'

10 Tetor 2020, 12:23

Prokuroria e Kukësit, prej muajit korrik 2020 ka nisur një hetim penal kundër veprimeve të paligjshme të kompanisë koncesionare “Kalisi Hydropower” sh.p.k., e cila nëpërmjet skemës së Partneritetit Publik Privat, ka lidhur me ministrinë një kontratë koncesionare për ndërtimin e dy hidrocentraleve, “Veleshica 1” dhe “Veleshica 2”. Dy objektet po ndërtohen mbi lumin Veleshica që ndodhet mes zonës së Kukësit dhe Dibrës, dhe është degë përbërëse e lumit Drini i Zi. Pikërisht në këtë zonë, kryeministri Edi Rama, ka paraqitur dhe projektin e hidrocentralit të Skavicës, që nëse ky projekt do bëhet realitet atëherë baseni ujëmbledhës i Skavicës, ka shumë gjasa që të përmbytë investimin që po kryen kompania “Kalisi Hydropower” mbi dy hidrocentrale.