Krijohet Agjencia e Shpronësimit, Artan Shkreli: Do të ngrihet grup i specializuar për gjyqet me pronat

27 Janar 2020, 17:18

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar në parim, Projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private për interes publik" të ndryshuar", që ka për synim ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve. Ngritja e kësaj agjencie sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës Artan Shkreli do të eliminojë problemin e mbartur të shpronësimeve.

Kjo agjenci shtetërore ndërvepron me kadastrën për lehtësimin e procedurave të shpronësimeve. Do të ulet numri i çështjeve në gjykatë, pasi do të ngrihet një grup i specializuar për këto çështje. Agjencia do të merret me uljen e borxhit dhe do ta zeroje atë. Kemi plot shpronësime të reja që kanë prioritet ndërkohë që harrojmë të vjetrat. Miratojeni pasi jemi përpara një situate thuajse emergjente për shpronësimet duke qenë  se janë edhe zonat e prekura nga tërmeti”, u shpreh zëvendësministri i Infrastrukturës Artan Shkreli.