Krimet e komunizmit në Shqipëri/ 6000 të ekzekutuar që s'u gjenden eshtrat, janë evidentuar 37 vendvarrime potenciale masive

31 Tetor 2019, 17:15

TIRANË- Krimet çnjerëzore gjatë kohës së komunizmit në vendin tonë, vijojnë të jenë ende të pazbardhura, e ndërsa mijëra familje shqiptare nuk dinë ende se ku gjenden eshtrat e të afërmve të tyre.

Mbi 6000 persona u ekzekutuan nga diktatura komuniste, të cilët vazhdojnë të konsiderohen si të zhdukur, ku edhe kur janë zbuluar varreza masive, si në zonën e Dajtit apo në Ballsh, sërish identifikimi i  personave është e vështirë të bëhet, duke i lënë trupat në morg në pritje të përgjigjeve të ADN-s

Gjatë një konference të mbajtur sot në vendin tonë “Për kërkimin e Familjeve të Personave të Zhdukur”, Methew Holliday, Drejtori Rajonal i ICMP, theksoi se, në Shqipëri ndodhen edhe 37 vendvarrime potenciale masive ku autoritet duhet të përqendrohemi në të ardhmen. Ai theksoi më tej se edhe Prokuroria duhet të bëjë edhe më shumë për këtë çështje.

"Familjet e 6000 personave ende presin për një përgjigje. Të humburit nuk janë të vdekur. Ne kemi gjetur në dy vende, dy persona të ekzekutuar në kohën e komunizmit, konkretisht në Dajt dhe në Ballsh. Por çfarë është raporti i kërkimit të ADN? Kjo gjë bën të mundur identifikimit e personit të humbur nëpërmjet profilit gjenetik me familjarët e tij. Saktësia është mbi 97 % për të evidentuar viktimat e komunizmit. Deri tani janë marrë më shumë se 20 përgjigje për vendvarrimit në Dajt nga viti 2010. Ky kërkim dhe identifikim do të bëj të mundur qetësinë shpirtërore të familjarëve që kërkojnë eshtrat dhe identifikimin e njerëzve të tyre të dashur. Rreth 630 familje kanë raportuar të afërmit e tyre të zhdukur, duke krijuar edhe një hartë me 37 vendvarrime potenciale masive ku mund të gjenden eshtra të tjera. Edhe Prokurorët duhet të japin urdhër për të kryer këto zhvarrime pasi ka edhe të tjerë në Dajt që rezultojnë të zhdukur. E njëjta gjë duhet të bëjë edhe prokuroria e Fierit, e cila ka për detyrë të regjistrojë çdo rast apo denoncim nga familjarët që kanë humbur të dashurit tyre në kohën e komunizmit." ka deklaruar Metheë Holliday, Drejtori Rajonal i ICMP.

Ndërsa, Zv.ambasadorja e BE Monika Bylaite tha se vendi ynë është shumë i vonuar në procesin e gjetjeve të njerëzve të zhdukur

"Identifikimi i dy personave ndoshta mund të mos të duket shumë, por gjithsesi është një fillim i mirë pasi dy familje janë të qeta pas identifikimin të eshtrave. Historia nuk duhet të harrohet. Dhe popujt e BE-së e kuptojnë më shumë se kush tjetër këtë situatë që ndodhet Shqipëria. Në Parlamentin Europian u miratua një Rezolutë për kujtimin e viktimave nga sistemet diktatoriale dhe totalitare. Në këtë kohë prokurorët duhet të bëjnë më shumë kërkesë nëpër gjykatat e rrethit për të bërë rikërkime për të humburit e kohës së komunizmit që nuk janë pak, por 6 000 persona. Ky është një detyrim moral i shoqërisë për të gjetur personat e humbur për gjatë periudhës 45-vjeçare të diktaturës", tha Monika Bylaite Zv.ambasadorja e BE.

E pranishme në konferencë ishte edhe zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, e cila tha se është një detyrim moral i shoqërisë sonë për të gjetur personat e humbur për gjatë periudhës së komunizmit dhe se viktimat e zbuluara në Dajt qëndronin prej 10 vitesh në morg ende të paidentifikuar.

Ndërkohë, zyrtarët e huaj thanë se do të vijojnë të mbështesin Qeverinë Shqiptare për të bërë procesin e identifikimit të personave të humbur në kohën e komunizmit. Ndërkohë, deri më tani nga kërkimet që kanë bërë vetë familjarët e të ekzekutuarve, janë gjetur eshtrat e mbi 2000 personave, ndërsa fati i të tjerëve nuk dihet ende.