Krimet në Shkodër/ Voltana Ademi - Lleshajt: Kur ndihem unë e frikësuar, mendoni qytetarët

1 Prill 2019, 11:55 | Përditesimi i fundit: 2019-04-01 16:52:06

Ka zgjedhur të flasë e zhveshur nga politika dhe ta theksojë fort këtë. Si qytetare e Shkodrës, si grua, si nënë, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, tha hapur dhe publikisht, se ndihet e kërcënuar nga krimi që vijon të godasë kryeqendrën e Veriut.  Foli në vetën e parë, duke thënë se ndihet e frikësuar, dhe se goditja e bandave të krimit, sapo ka filluar. Para ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, drejtuesit të policisë së Shkodrës të zgjedhur në detyrë pas atentatit të dyfishtë të së shtunës, prefektit të ri të Shkodrës dhe zyrtarëve të tjerë lokalë e të policisë, Voltana Ademi foli sinqerisht, kur tha se krimi ka marrë zemër për shkak se nuk është parandaluar. Ofroi bashkëpunimin e saj pa kushte, që bashkë me policinë, qytetarët dhe të gjitha strukturat e tjera, të luftojnë për të goditur krimin.

Një komunikim i sinqertë që mori edhe vlerësimin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Ai dha garancitë se me shtimin e mekanizmave në Policinë e Shkodrës, me staf edhe nga policia e Lezhës dhe Kukësit, situata do të ndryshojë. Kërkoi mbështetjen e qytetarëve dhe besimin se policia do të luftojë bandat kriminale. Mjafton edhe një mbështetje morale - tha Lleshaj - për t'i dhënë zemër, efektivëve.

Ministri u shpreh se krimi nuk është në ato nivele sa të shkaktojë frikë, por kryebashkiakja Ademi u shpreh se frika është e ndjeshme dhe se gjithçka "sapo ka filluar".

Sandër Lleshaj: Duhet të mobilizojmë gjithë shoqërinë për të luftuar krimin. Nuk ka asnjë hapësirë për të pasur frikë nga krimi. Ne do t'i fuqizojmë kapacitetet tona të policisë në Shkodër. Jo më kot kam ftuar edhe drejtuesit e Kukësit dhe Lezhës, do të mobilizojmë burime nga këto drejtori në Shkodër, që edhe në perceptim të ketë ndryshim. Nuk duhet të ndiejmë frikë. Nëse ndjen frikë kryetarja e Bashkisë, kemi një problem të madh.

Voltana Ademi: Fola në vet të parë, kur fillon tek unë...

Sandër Lleshaj: Ky qytet duhet të marrë dinjitetin e tij, ne jemi të angazhuar maksimalisht në këtë.

Në përfundim të takimit, kryebashkiakja e Shkodrës ju drejtua edhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, duke i folur për nevojën e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve në këtë betejë të nisur, por kryepolici është larguar duke i lënë fjalën përgjysmë Ademit.

Voltana Ademi: Nuk është çështje e vullnetit të një personi, nuk është aspak politike. Nuk e bën edhe një polici vetëm në Shkodër, do duhet të ketë forca të specializuara, ne duhet të parandalonim ngjarjen. Në këto histori ka pasur edhe njerëz të pafajshëm që kanë hëngër plumb