Martin Ndreca u vra në sy të djalit të tij 10-vjeçar. Fqinji i tij Ndue Zefi nuk ka pyetur që fqinji i tij në makinë kishte edhe të birin. Nuk është kursyer, dhe e ka qëlluar me automatik duke e lënë të vdekur në vend. Ka shtënë me 5 plumba...Fatmirësisht vogëlushi 10-vjeçar ka shpëtuar, por nuk është e lehtë trauma që ai ka përjetuar, të shohë babain e tij teksa ndërron jetë. Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Martin Ndreca dhe Ndue Zefi, fqinj me njëri-tjetrin ndodheshin të dy në një lokal të lagjes, kur kanë nisur një debat mes tyre, që çoi më tej edhe në rrëmbimin momental të autorit, duke e ndjekur Martin Ndrecën deri tek makina, teksa ai ikte për në banesë, ku edhe e vrau.
Vëllai i të ndjerit, Arben Ndreca, thotë në një rrëfim për Shqiptarja.com, se vëllai i tij nuk u vra për çështje nderi, siç u përfol në disa media. SIpas tij konflikti mes vëllait të tij dhe Ndue Zefit ka ndodhur për një sherr krejtësisht banal: "Pse më shikon"
"Ne e kemi pasur të njohur Ndue Zefin, por nuk është se kemi patur ndonjë afrimitet me të. Kemi qenë afër me shtëpi në Adriatik të Kurbinit. Banesat kishin një distancë prej 100 metrash me njëra-tjerën" thotë Ndreca .
Sipas tij, vëllai dhe Ndue Zefi nuk kanë qenë në të njëjtën tavolinë, në lokalin e lagjes.
